Gjoni 14
Albanian
1''Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! 2Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t'ju thoja. Unë po shkoj t'ju përgatis një vend. 3Dhe kur të shkoj e t'ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t'ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju. 4Ju e dini se ku po shkoj dhe e njihni edhe udhën''. 5Thomai i tha: ''Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?'' 6Jezusi i tha: ''Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.

7Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë''.

8Filipi i tha: ''Zot, na e trego Atin, dhe na mjafton''. 9Jezusi i tha: ''Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin; Si vallë po thua: "Na e trego Atin?". 10A nuk beson se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua? Fjalët që po ju them, nuk i them nga vetja. Ati që qëndron në mua, është ai që i bën veprat. 11Më besoni se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua; në mos, më besoni për shkak të vet veprave. 12Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati. 13Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin. 14Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj''.

15''Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.

16Dhe unë do t'i lutem Atit dhe ai do t'ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, 17Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju.

18Nuk do t'ju lë bonjakë, do të kthehem te ju. 19Edhe pak kohë dhe bota nuk do të më shohë më, por ju do të më shihni; sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni. 20Atë ditë do të mësoni se unë jam në Atin tim, dhe se ju jeni në mua dhe unë në ju. 21Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t'i dëftehem atij''. 22Juda, jo Iskarioti, i tha: ''Zot, si vallë do të na dëftehesh neve dhe jo botës?''. 23Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai. 24Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar.

25Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju; 26por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t'ju mësojë çdo gjë dhe do t'ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë. 27Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë. 28Ju keni dëgjuar që ju thashë: "Unë po shkoj dhe do të kthehem te ju". Po të më donit, do të gëzoheshit sepse unë thashë: "Po shkoj tek Ati"; sepse Ati është më i madh se unë. 29Dhe jua kam thënë tani, para se të ndodhë, që, kur të ndodhë, të besoni. 30Nuk do të flas më gjatë me ju, sepse po vjen princi i kësaj bote dhe ai nuk ka asgjë në mua; 31por kjo ndodh që bota ta njohë se unë e dua Atin dhe se bëj ashtu siç Ati më ka urdhëruar. Çohuni, ikim prej këndej!''.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

John 13
Top of Page
Top of Page