Isaia 24
Albanian
1Ja, Zoti zbras tokën dhe e bën të shkretë, prish faqen e saj dhe shpërndan banorët e saj. 2Do t'i ndodhë e njëjta gjë popullit ashtu si priftit, shërbëtorit ashtu si padronit të tij, shërbëtores ashtu si padrones së saj, blerësit ashtu si shitësit, ai që jep borxh ashtu si ai që merr borxh, huadhënësit ashtu si huamarrësit. 3Toka do të zbrazet plotësisht dhe do të plaçkitet plotësisht, sepse Zoti ka thënë këtë fjalë. 4Toka është në zi dhe vuan, bota po ligështohet dhe po meket, njerëzit me poste nga populli i dheut ligështohen. 5Toka është përdhosur nga banorët e saj, sepse këta kanë shkelur ligjet, kanë ndryshuar statutin, kanë marrë nëpër këmbë besëlidhjen e përjetshme. 6Prandaj një mallkim e ka përpirë tokën dhe banorët e saj janë të dëshpëruar; prandaj banorët e tokës po digjen dhe të pakët janë burrat që kanë mbetur.

7Mushti është në zi, vreshti po prishet dhe gjithë zemërgëzuarit psherëtijnë.

8Gëzimi i dajreve ka marrë fund, zhurma e dëfrimtarëve ka mbaruar, gëzimi i harpës pushoi.

9Nuk pihet më verë me këngë, pija dehëse është e hidhur për ata që e pijnë.

10Qyteti i rrëmujës është shkatërruar; çdo shtëpi është e mbyllur që të mos hyjë njeri në të.

11Nëpër rrugë ka ankime, sepse nuk ka verë; çdo gëzim është zhdukur, hareja është zhdukur nga toka.

12Në qytet nuk mbetet gjë tjetër veç dëshpërimit, dhe porta është bërë copë-copë dhe është shkatërruar.

13Sepse në mes të dheut, midis popujve, do të ndodhë ashtu si kur shkunden ullinjtë, ashtu si kur mblidhen vilet e pavjela pas vjeljes.

14Ata do të ngrenë zërin, do të lëshojnë klithma gëzimi, për madhështinë e Zotit do të brohorasin nga deti:

15Lëvdoni, pra, Zotin në krahinat e agimit, emrin e Zotit, Perëndinë e Izraelit në ishujt e detit!.

16Nga skaji i tokës dëgjojmë këngë: "Lavdi të drejtit!". Por unë them: "Mjerë unë! Mjerë unë! Vaj medet! Të pabesët veprojnë me pabesi, po, të pabesët veprojnë me pabesi të madhe.

17Tmerri, gropa dhe laku të kërcënojnë, o banor i dheut.

18Dhe ka për të ndodhur që ai që do të ikë përballë britmës së tmerrit do të bjerë në gropë, dhe kush do të dalë nga gropa do të kapet nga laku. Sepse nga lart do të hapen ujëvara dhe themelet e dheut do të tronditen.

19Toka do të çahet e tëra; toka do të kriset tërësisht, toka do të dridhet me forcë.

20Toka do të lëkundet si një i dehur, do të tronditet si një kasolle. Mëkati i saj rëndon mbi të, do të rrëzohet dhe nuk do të ngrihet më.

21Atë ditë do të ndodhë që Zoti do të dënojë ushtrinë që është atje lart, dhe poshtë mbi tokë mbretërit e dheut;

22do të mblidhen bashkë si të burgosur në një burg të nëndheshëm; do të mbyllen në një burg dhe pas shumë ditësh do të ndëshkohen.

23Hënën do ta mbulojë rrëmuja dhe diellin turpi, sepse Zoti i ushtrive do të mbretërojë mbi malin e Sionit dhe në Jeruzalem, dhe lavdia e tij përpara pleqve.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Isaiah 23
Top of Page
Top of Page