Mikea 3
Albanian
1Unë thashë: "Ah, dëgjoni, o krerë të Jakobit, dhe ju qeveritarë të shtëpisë së Izraelit: a nuk ju takon vallë juve të njihni drejtësinë?

2Ju që urreni të mirën dhe doni të keqen, që ju hiqni lëkurën nga trupi dhe mishin nga kockat e tyre.

3Ata hanë mishin e popullit tim, i heqin lëkurën nga trupi, i thyejnë kockat dhe e presin në copa sikur do të shkonte në tenxhere, si mishi që vihet në kazan.

4Atëherë do t'i këlthasin Zotit, por ai nuk do t'u përgjigjet; në atë kohë ai do t'ua fshehë fytyrën e tij, sepse kanë qenë të këqij në veprimet e tyre.

5Kështu thotë Zoti për profetët që e bëjnë popullin tim të largohet nga rruga e tij, që bërtasin: "Paqe", po të kenë diçka për të kafshuar nëpër dhëmbë, por i shpallin luftë atij që nuk u vë gjë në gojë.

6Prandaj do të keni net pa vegime, dhe do të keni terr pa shortari; dielli do të perëndojë mbi këta profetë dhe dita do të erret mbi ta.

7Shikuesit do të mbulohen me turp dhe shortarët do të skuqen; do të mbulojnë të gjithë mjekrën e tyre, sepse nuk do të ketë asnjë përgjigje nga Perëndia".

8Unë përkundrazi jam plot me forca të Frymës së Zotit, me drejtësi dhe forcë, për t'i bërë të njohur Jakobit shkeljen e tij dhe Izraelit mëkatin e tij.

9Tani dëgjoni këtë, o krerë të shtëpisë së Jakobit dhe qeveritarë të shtëpisë së Izraelit, që urreni drejtësinë dhe shtrëmbëroni çdo gjë që është e ndershme,

10që ndërtoni Sionin me gjak dhe Jeruzalemin me paudhësi.

11Krerët e tij gjykojnë për një dhuratë, priftërinjtë e tij japin mësim për një pagesë, profetët e tij kryejnë shortari për para; megjithatë mbështeten tek Zoti dhe thonë: "A nuk është vallë Zoti midis nesh? Nuk do të na bjerë në krye asnjë fatkeqësi".

12Prandaj, për shkakun tuaj, Sioni do të lërohet si një arë, Jeruzalemi do të bëhet një grumbull rrënimesh, dhe mali i tempullit një lartësi e pyllëzuar.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Micah 2
Top of Page
Top of Page