2 Thesalonikasve 3
Albanian
1Më në fund, o vëllezër, lutuni për ne, që fjala e Zotit të përhapet me të shpejtë dhe të lëvdohet, porsi ndër ju, 2dhe derisa të shpëtojmë nga njerëzit e çoroditur dhe të këqij, sepse jo të gjithë kanë besim. 3Por Zoti është besnik, dhe ai do t'ju forcojë dhe do t'ju ruajë nga i ligu. 4Dhe ne kemi besim për ju te Zoti, se gjërat që ju porositëm po i bëni dhe do t'i bëni. 5Edhe Zoti i drejtoftë zemrat tuaja te dashuria e Perëndisë dhe te qëndrueshmëria e Krishtit.

6Dhe ju porositim, o vëllezër, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, që të largoheni nga çdo vëlla që ecën i çrregullt dhe jo sipas porosisë që keni marrë prej nesh. 7Sepse ju e dini vetë se si duhet të na shëmbëlleni, sepse ne nuk u sollëm në mënyrë të çrregullt midis jush, 8dhe nuk kemi ngrënë falas bukën e ndonjërit, por punuam me mundim e cfilitje ditë e natë, që të mos i bëheshim barrë asnjërit prej jush. 9Jo se ne nuk e kemi këtë të drejtë, po për t'ju dhënë ne vetë një shëmbull që ju të na imitonit. 10Në fakt, edhe kur ishim në mes tuaj, ju porosisnim këtë: se po qe se ndonjë nuk do të punojë, as të mos hajë. 11Në fakt dëgjojmë se disa prej jush që ecin në mënyrë të çrregullt, nuk bëjnë asgjë dhe merren me gjëra të kota. 12Këta i porosisim dhe i bëjmë thirrje në Zotin tonë Jezu Krisht, që të hanë bukën e tyre duke punuar shtruar. 13Dhe sa për ju, o vëllezër, mos u lodhni së bëri të mirën.

14Dhe nëqoftëse dikush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni atë dhe mos u shoqëroni me të, që ai të turpërohet. 15Por mos e mbani atë si një armik, po këshillojeni si vëlla.

16Dhe vetë Zoti i paqes ju dhëntë vazhdimisht paqe në çdo mënyrë. Zoti qoftë me ju të gjithë.

17Të falat me shëndet janë nga dora ime, nga mua, Pali; dhe kjo është një shenjë në çdo letër prej meje; unë shkruaj kështu. 18Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

2 Thessalonians 2
Top of Page
Top of Page