Jeremia 42
Albanian
1Tërë krerët e forcave, Johanani, bir i Kareahut, Jezaniahu, bir i Hoshajahut, dhe tërë populli, nga më i vogli deri te më i madhi, u afruan 2dhe i thanë profetit Jeremia: "Oh, arriftë lutja jonë para teje dhe lutju Zotit, Perëndisë tënd, për ne, për tërë këtë mbeturinë (sepse nga shumë që ishim kemi mbetur pak, si po e vë re me sytë e tu), 3me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të na tregojë udhën nëpër të cilën duhet të ecim dhe atë që duhet të bëjmë". 4Profeti Jeremia u tha atyre: "E mora vesh! Ja, do t'i lutem Zotit, Perëndisë tuaj, sipas fjalëve tuaja dhe do t'ju bëj të ditur tërë ato që Zoti do t'ju thotë; nuk do t'ju fsheh asgjë". 5Atëherë ata i thanë Jeremias: "Zoti le të jetë dëshmitar i vërtetë dhe besnik kundër nesh, po qe se ne nuk do të veprojmë sipas çdo fjale që Zoti, Perëndia yt, do të dërgojë të na thotë nëpërmjet teje. 6Qoftë përgjigjja e tij e pëlqyer ose e papëlqyer, ne do t'i bindemi zërit të Zotit, Perëndisë tonë, tek i cili po të dërgojmë me qëllim që të na vinë të mira duke iu bindur zërit të Zotit, Perëndisë tonë".

7Pas dhjetë ditësh ndodhi që fjala e Zotit iu drejtua Jeremias. 8Atëherë ai thirri Johananin, birin e Kareahut, tërë krerët e forcave që ishin bashkë me të dhe tërë popullin, nga më i vogli deri te më i madhi, 9dhe u tha atyre: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, tek i cili më dërguat me qëllim që t'i paraqitja lutjen tuaj: 10Në rast se vazhdoni të rrini në këtë vend, unë do t'ju vendos dhe nuk do t'ju shkatërroj, do t'ju mbjell dhe nuk do t'ju çrrënjos, sepse po pendohem për mjerimin që kam sjellë mbi ju. 11Mos kini frikë nga mbreti i Babilonisë, prej të cilit trembeni; mos kini frikë prej tij", thotë Zoti, "sepse unë jam me ju, për t'ju shpëtuar dhe për t'ju çliruar nga dora e tij. 12Unë do të jem i mëshirshëm me ju me qëllim që edhe ai të jetë i mëshirshëm me ju dhe t'ju bëjë të ktheheni në vendin tuaj". 13Por në qoftë se, duke mos iu bindur zërit të Zotit, Perëndisë tuaj, ju thoni: "Nuk duam të qëndrojmë në këtë vend", 14dhe thoni: "Jo, duam të shkojmë në vendin e Egjiptit, ku nuk do të shikojmë luftë as nuk do të dëgjojmë zërin e burisë dhe as nuk do të vuajmë më nga uria për bukë, dhe aty do të banojmë", 15e mirë, pra, dëgjoje atëherë fjalën e Zotit, o mbetje e Judës! Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Në rast se me të vërtetë keni vendosur të shkoni në Egjipt dhe shkoni aty për t'u ngulitur, 16shpata nga e cila keni frikë do t'ju arrijë aty, në vendin e Egjiptit, dhe uria prej së cilës kishit kaq frikë do t'ju ngjitet në trup atje në Egjipt dhe aty do të vdisni. 17Do të ndodhë, pra, që tërë ata që kanë vendosur të shkojnë në Egjipt për të banuar atje, do të vdesin nga shpata, nga uria apo nga murtaja. Asnjë prej tyre nuk do të mbetet gjallë dhe nuk do t'i shpëtojë kësaj fatkeqësie që unë do të sjell mbi ta".

18Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ashtu si zemërimi im dhe tërbimi im janë derdhur mbi banorët e Jeruzalemit, kështu tërbimi im do të derdhet mbi ju, kur të hyni në Egjipt, dhe do të bëheni objekt nëme, habije, mallkimi, turpi dhe nuk do ta shihni më këtë vend". 19O mbetje e Judës, Zoti ju thotë: "Mos shkoni në Egjipt!". Dijeni mirë që sot ju kam paralajmëruar në mënyrë solemne. 20Ju keni përdorur mashtrimin kundër vetes suaj, kur më dërguat tek Zoti, Perëndia juaj, duke thënë: "Lutju për ne Zotit, Perëndisë tonë, dhe tërë ato që ka për të thënë Zoti, Perëndia ynë, na i trego me besnikëri, dhe ne do t'i bëjmë". 21Unë ua bëra të ditur sot; por ju nuk i bindeni zërit të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe asgjëje nga ato që ka dërguar t'ju thotë nëpërmjet meje. 22Por dijeni mirë, pra, që ju do të vdisni nga shpata nga uria dhe nga murtaja në vendin ku dëshironi të shkoni për të banuar".



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Jeremiah 41
Top of Page
Top of Page